Komunikim dhe Ndërgjegjësim

Krijimi i kapaciteteve

Synimi i krijimit të Tribunalit si organ gjyqësor ad hoc, asnjëherë nuk ishte procedimi penal i të gjithë individëve të akuzuar për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Në fakt gjithmonë është menduar që detyra e procedimit penal të shumicës së gjerë të të akuzuarve për këto krime do të realizohej prej gjyqësoreve të vendeve të rajonit.  Në përputhje me këtë politikë, Tribunali ka vënë në zbatim Strategjinë Përmbyllëse që prej vitit 2003.

Tribunali përfundoi paraqitjen e aktakuzave të reja në 2004 dhe ka transferuar disa çështje të të akuzuarve të rangut të mesëm dhe të ulët në gjykatat e rajonit.  Prokurorëve të këtyre vendeve u janë përcjellë gjithashtu prova të cilat nuk rezultuan në ngritjen e aktakuzave në Tribunal. Gjithashtu sot gjykatat e këtyre vendeve kryejnë hetime dhe procedime penale për llogari të tyre kundër shumë të dyshuarve për krime të cilët nuk u akuzuan prej Tribunalit. 

Si pasojë, një aspekt kyç i punës së Tribunalit është pasqyruar nëpërmjet nismave të shumta të ndërmarra gjatë këtyre viteve në mbështetje të punës së juristëve profesionistë dhe institucioneve gjyqësore të rajonit që procedojnë çështjet e krimeve të luftës.  

Për shembull transferimi i ekspertizës në gjyqësorët e vendeve të rajonit ka kontribuuar në krijimin e organeve të specializuara për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe për shtimin e aftësisë së gjykatave jo të specializuara për gjykimin e krimeve të luftës. Në gjithë rajonin, kualifikimi i juristëve profesionistë dhe personelit për mbështetjen e dëshmitarëve prej homologëve të tyre të TPNJ-së ka ndihmuar në jetësimin e standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të zhvilluara në kuadrin e juridiksioneve të këtyre vendeve.

Projekti “Drejtësi për Krimet e luftës”: transferimi i ekspertizës në gjyqësorët rajonalë dhe mundësimi i përdorimit të materialeve përkatëse


Në kuadër të Projektit “Drejtësi për Krimet e Luftës”, TPNJ-ja, OSBE/ODIHR dhe UNICRI, me mbështetjen financiare prej Bashkimit Evropian, janë bashkuar në përpjekjet e tyre për transferimin e efektshëm të ekspertizës dhe materialeve të TPNJ-së në sistemet gjyqësore shtetërore në rajonin e ish-Jugosllavisë.  Projektit i parapriu një vlerësim nëntëmujor i nevojave kryer në këshillim të vazhdueshëm me juristët profesionistë anembanë rajonit i cili rezultoi në nxjerrjen në shtator 2009 të një raporti përfundimtar ku identifikoheshin fushat e mundshme të përfitimit të ndihmës të sistemeve juridike shtetërorë të ballafaquar me një numër gjithnjë e më të madh çështjesh për krime lufte.

Përbërësit e Projektit “Drejtësi për Krimet e Luftës” u krijuan për plotësimin e nevojave ekzistuese të identifikuara.  Për më tepër ndihma do të  konkretizohet në një mënyrë përkufizuar prej instancave shtetërore si më stimuluese në promovimin e përqafimit të programit prej institucioneve përkatëse vendore dhe për një dobi afatgjatë.

PËRBËRËSIT E PROJEKTIT

Fuqizimi i personelit në fushat kyçe

Projekti “Drejtësi për Krimet e Luftës” do të mbështesë punësimin e një numri të kufizuar punonjësish në institucionet juridike vendore për fuqizimin e kapacitetit në aspekte kyçe si analizat dhe mbështetja e dëshmitarëve. Institucionet brenda juridiksioneve shtetërore e përkufizuan këtë si nevojë themelore për procedimin e efektshëm të çështjeve të ndërlikuara për krimet e luftës.

Zhvillimi i programeve dhe materialet

Projekti “Drejtësi për Krimet e Luftës” do të bashkëpunojë me disa institucione për kualifikimin juridik për hartimin e programeve mbi të drejtën humanitare ndërkombëtare në përshtatje me kuadrin ligjor të çdo juridiksioni, si dhe mjetet e ndryshme hulumtuese dhe analizuese. Sa herë që do të jetë e mundshme, do të kryhet kualifikim i mësuesve. Do të hartohet një udhëzues për praktikat më të efektshme përdorur prej avokatëve të mbrojtjes në TPNJ, në ndihmë të avokatëve të mbrojtjes në rajon.

Zhvillimi profesional

Projekti përfshin një sërë veprimtarish si takime dhe vizita pune të homologëve në ndihmë të zhvillimit profesional të juristëve me synim mbështetjen e zhvillimit profesional të juristëve profesionistë që punojnë me çështjet e krimeve të luftës në rajon. Gjithashtu do të ofrohet kualifikim profesional në përdorimin e mjeteve analitike dhe punën me dëshmitarët e cënueshëm. Për tema konkrete të të drejtës humanitare ndërkombëtare do të ofrohet kualifikim më i lartë.

Mundësia e përdorimit të materialeve dhe ekspertizës së TPNJ-së

TPNJ-ja do të përkthejë transkripte të proceseve më të rëndësishme në gjuhën bosnjakë, kroate dhe serbe. Ky faktor do të përmirësojë rrënjësisht mundësinë e juristëve profesionistë të rajonit për përdorimin dhe kërkimin e materialeve nëpërmjet dëshmive të dhëna në TPBJ, në kuadër të proceseve të tyre. Mekanizmi Kërkues i jurisprudencës së Dhomës së Apelit i cili përmban një përzgjedhje të përmbledhjeve të vendimeve më të rëndësishme të Dhomës së Apelit, do të përkthehet gjithashtu në BKS. Për juristët e rajonit do të ofrohet kualifikim posaçërisht i përgatitur për ti ndihmuar në përdorimin e arkivit të Tribunalit.
 
 

Transferimi i dijenive dhe praktikave të zhvilluara në TPNJ: Dokumente themelore


"Mbështetje e Procesit Kalimtar: Mësimet e Nxjerra dhe Përvojat më të mira në Transferimin e Dijenive"

Ky raport është rezultat i vlerësimit nëntëmujor të nevojave ndërmarrë bashkërisht nga TPNJ-ja, Zyra për Institucionet Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE/ODIHR) dhe Instituti Ndërrajonal i Kombeve të Bashkuara për Hulumtimin e Krimeve dhe për Drejtësi (UNICRI). Aty identifikohen nevojat ekzistuese të gjyqësoreve në ish-Jugosllavi si dhe efektshmëria e përpjekjeve për krijimin e kapaciteteve të deritanishme.

Shih raportin: Anglisht | B/K/S


Udhëzues i TPNJ-së mbi Praktikat e Zhvilluara

Ky libër ofron një përshkrim të gjithanshëm të praktikave në fuqi që janë zhvilluar në Tribunal që prej krijimit të tij. Aty trajtohet spektri i plotë i punës së Tribunalit duke filluar prej hetimeve e deri në zbatimin e dënimeve si dhe hartimi i aktgjykimeve po ashtu edhe roli i shërbimeve gjyqësore ndihmëse.  Është një prej instrumenteve kryesore përgatitur prej Tribunalit në bashkëpunim me UNICRI-në, për ruajtjen e trashëgimisë së tij. U paraqit në maj 2009, në anglisht dhe BKS.

Shih udhëzuesin: Anglisht | B/K/S
 



Partnerë të TPNJ-së në Krijimin e Kapaciteteve


logo logo logo
Ky projekt është financuar
nga Bashkimi Evropian

Aftësia e gjyqësoreve të këtyre vendeve për ta çuar më tej gjykimin e krimeve të luftës në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare pas mbylljes së Tribunalit konsiderohet si gur themeli i trashëgimisë së Tribunalit.

Në këtë kontekst, TPNJ-ja u ofron ndihmë të vazhdueshme prokurorëve, gjykatësve dhe juristëve të tjerë profesionistë të rajonit që merren me krimet e luftës.  Tribunali ka krijuar partneritet me Zyrën për Institucionet Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE/ODIHR) dhe Institucionin Ndërrajonal të Kombeve të Bashkuara për Hulumtimin e Krimeve dhe për Drejtësi (UNICRI). Në bashkëpunim me këta partnerë Tribunali ka jetësuar projekte të ndryshme që mundësojnë transferimin e efektshëm të përvojës institucionale dhe aftësive të specializuara të Tribunalit në gjyqësorët e rajonit.