Punësim


Variantet e plota  të kësaj faqeje gjenden në anglisht, frëngjisht dhe gjuhën bosnjake/kroate/serbe.


Vendet e lira të punës dhe praktika profesionale

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (TPNJ) punëson më shumë se 1100 punonjës dhe ofron mundësi të gjera për punësim dhe praktikë profesionale në fushën e të drejtës penale,  të drejtës humanitare dhe ndërkombëtare, shkencat sociale dhe administratë. Gjuhët zyrtare të Tribunalit janë anglishtja dhe frengjishtja, por në disa raste është e dobishme edhe njohja e gjuhëve nga rajoni si gjuha bosnjae/kroate/ serbe, shqipja, maqedonishtja ose e gjuha e shtetit mikrpitës, holandishtja..

Punësimet në TPNJ janë për një afat njëveçar, me mundësi vazhdimi. Kushtet e shërbimit përcaktohen nga Rregullorja për Personelin e OKB-së. Në pajtim me Rregulloren për Personelin e OKB-së, të punësuarit duhet t’i nënshtohen kontrollit mjekësor, që duhet miratuar nga Shërbimi Mjekësor i OKB-së në Nju Jork brenda gjashtë muajve të shërbimit, para vazhdimit të kontratës. Çdo vend pune i lirë dhe i shpallur  do të jetë në njërin nga tre organet e Tribunalit, përkatësisht Sekretaria, Prokuroria dhe Dhomat Gjyqësore.

Postet e Shërbimeve Profesionale (Niveli-P)


Emërimet në postet profesionale zakonisht janë për një afat njëvjeçar, me mundësi të zgjatjes së kontratës. Individët, të cilëve u ofrohen kontrata njëvjeçare të nivelit profesional do të konsiderohen të rekrutuar ndërkombëtarisht. Kur shërbejnë jashtë vendeve të tyre amtare, ata përfitojnë disa të drejta jashtatdhesimi si janë: pagimi i shpenzimeve të udhëtimit me rastin e punësimit, transporti i mallrave personale, pushim për vizitë, subvencion për qiranë, ndihmë financiare për shkollim dhe ndihmë financiare për riatdhesim.

Personelit i ofrohen paga të larta (të cilat nuk u nënshtrohen taksave holandeze mbi të ardhurat) me një rritje vjetore dhe nëse ka të drejtë edhe një kompensim për persona të varur financiarisht prej punonjësit të Tribunalit. Përveç kësaj, Tribunali ofron një plan të gjerë mjekësor dhe pensional, 30 ditë pushim vjetor dhe 10 ditë festash në vit. Të punësuarit janë nëpunës civilë ndërkombëtarë dhe nga ata pritet të jenë të kujdesshër dhe besnikë ndaj interesave të Tribunalit.

Postet e Shërbimeve të Përgjithshme (Niveli-G)

Kontratat lëshohen më së shpeshti për një periudhë fillestare tremujore. Kjo periudhë testuese i jep si të punësuarit ashtu edhe organizatës një mundësi për të përcaktuar nëse punësimi ishte i kënaqshëm për të dy palët. Më tej merret në shqyrtim vazhdimi i kontratës. Gjithsesi duke marrë parasysh natyrën e përkohshme të Tribunalit, kontratat lidhen për një periudhë maksimale njëvjeçare, me mundësi zgjatjeje.

Të gjithe anëtarët e Personelit të Shërbimit të Përgjithshëm konsiderohen si të rekrutuar lokalë dhe nuk kanë të drejtë të përfitojnë si të punësuar jashtë shtetit të tyre amë. Kushtet e shërbimit të personelit në TPNJ përcaktohen prej  Rregullores së Personelit të OKB-së.

Ekzistojnë nivele të ndryshme në kategorinë e Shërbimit të Përgjithshëm, për arsye të rritjes së nivelit të ndërlikueshmërisë. Në përgjithësi personeli punësohet në nivelin e përshtatshëm për kualifikimet dhe përvojën e tyre.

Pas shqyrtimit të kërkesave, bëhet një përzgjedhje duke ftuar kandidatët e përshtashëm për të marrë pjesë në Provimin e kërkuar Hyrës të Kombeve të Bashkuara.

Shënim: Statusi i nevojshëm i qëndrimit

Punësimi në TPNJ-së u nënshtrohet ligjeve të vendit në Holandë, dhe konkretish Wet op Arbeid dhe Vreemdelingenwet/Ligji i Punës dhe Ligji për Të Huajt/. Pikat kryesore që duhet të dihen janë këto:

1. Shtetasit holandezë dhe qytetarët e Bashkimit Evropian mund të punojnë në Tribunal pa dokumenta paraprakë, nëse qëndrimi i tyre në Holandë para punësimit në Tribunal ishte në pajtim me ligjet vendore.

2. Shtetasit e shteteve jashtë BE-së që zotërojnë dokumentin për të huajt /Vreemdelingendocument/ duhet të konfirmojnë vlefshmërinë e këtij dokumenti dhe duhet të verifikojnë statusin e të drejtës së tyre të punës. Për të punuar me Tribunalin ata duhet të kenë një leje të vlefshme pune për punësim të përhershëm dhe leja e punës nuk duhet të jetë e kufizuar për një katogeri të caktuar pune apo punëdhënës të caktuar.

3. Shtetasit e shteteve jashtë BE-së që nuk zotërojnë dokumentet e lartpërmendura, duhet të kthehen në shtetin e tyre amë dhe të presin që Tribunali të bëjë kërkesë për vizë në emër të tyre.  

4. Kandidatëve të zgjedhur për postin të cilët jetojnë jashtë BE-së të cilëve u duhet vizë për Holandë do t’u kërkohen të dhënat personale prej Tribunalit i cili do të bëjë kërkesë për vizë për ta.

Ju lutemi mbani parasysh se disa vende pune shpallen për formimin e një liste  kandidatësh për postet që mund të hapen në të ardhmen.

Praktika profesionale

Programi  i Praktikës profesionale i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë u ofron profesionistëve, studentëve të diplomuar, si dhe studentëve të padiplomuar që janë në fazën përfundimtare të studimeve, mundësinë për kualifikimin e tyre profesional në atmosferën e veçantë të gjykatës ndërkombëtare.

Programi i Praktikës Profesionale është i hapur për ata/ato kandidatë që janë arsimuar në një numër fushash si drejtësi, gazetari, përkthim me shkrim dhe gojor dhe teknologji kompjuterike. Përveç pjesëmarrjes në punën e përditshme, praktikantët ftohen të marrin pjesë në ligjërata dhe veprimtari të tjera që kanë lidhje me punën e Tribunalit.

Tribunali ka dy lloje të ndryshme të praktikës profesionale – Programi i Rregullt i Praktikës Profesionale dhe Programi i Kufizuar i Praktikës Profesionale.

Nëse dëshironi të bëni kërkesë për praktikë profesionale në organizatën tonë, ju ftojmë t’i referoheni informacionit në lidhje me çështjet e plotësimit të  kritereve dhe procedurave për Programin e Praktikës Profesionale.

Në kërkesën për Praktikë Profesionale të rregullt (vetëm me postë) kërkohet që të rendisni qartë tri preferencat tuaja (të parën, të dytën dhe të tretën) të seksioneve të Tribunalit ku dëshironi të punoni. Një përshkrim në faqet tona mund t’ju ndihmojë që të vendosni cili seksion i Tribunalit u përshtatet më së shumti dëshirave dhe nevojave tuaja.

Ju informojmë se kërkesat me postë elektronike nuk do të pranohen. Në rast se bëni kërkesë për Programin e Kufizuar të Praktikës Profesionale (vetëm në Zyrën e Prokurorit) ju nuk mund të bëni kërkesë edhe për Programin e Rregullt dhe anasjelltas.

Nëse keni pyetje të tjera në lidhje me Praktikën Profesionale mund të kontaktoni Seksionin e Burimeve Njerëzore.