Mandati dhe Misioni
Së bashku me Dhomat dhe Sekretarinë, Zyra e Prokurorit është një nga tri organet e Tribunalit dhe ka detyrë që të hetojë dhe ndjekë penalisht individë përgjegjës për disa nga shkeljet më të rënda të së drejtave themelore të njeriut dhe së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, shkelje që u kryen gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në vitet ‘90.
Zyra e Prokurorit udhëhiqet prej
Prokurorit i cili emërohet prej Këshillit të Sigurimit për një mandate katërvjeçar të përtëritshëm dhe
zëvendësprokurorit i emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Prokurori është I pavarur dhe nuk kërkon apo merr udhëzime prej institucioneve të jashtme si qeveri ose organizata ndërkombëtare ose nga dy organet e tjera të Tribunalit.
Funksioni I Prokurorit është dyplanësh: hetimi i krimeve dhe paraqitja e çështjeve për gjykim dhe më vonë nëse është e nevojshme në apel. Gjatë këtyre viteve puna e Prokurorisë e ka zhvendosur objektivin prej hetimeve në procedimin penal.
Hetimet
Procesi ligjor i Tribunalit vihet në lëvizje prej Prokurorit. Tribunali nuk ka gjykatës hetues. Është Prokurori ai që vendos kur duhen nisur hetime, çfarë duhet hetuar, cilët persona duhen proceduar penalisht dhe për çfarë akuzash. Kur Prokurori mendon se ekzistojnë arsye të mjaftueshme për ndjekje penale, formulohet një aktakuzë ku renditen akuzat. Në marrjen e këtyre vendimeve Prokurori është tërësisht I pavarur. Gjithsesi para akuzimit apo arrestimit të një individi, aktakuza duhet konfirmuar prej një gjykatësi i cili duhet të jetë i bindur se ekzistojnë prova të mjaftueshme në mbështetje të akuzave.
Fillimisht një grup i përbërë prej Kryetarit, zëvendëskryetarit dhe kryegjykatësve të Dhomave Gjyqësore përcakton se aktakuza përqëndrohet në një apo më shumë prej udhëheqësve më të lartë dhe krimet për të cilat akuzohen përfshihen në juridiksionin e Tribunalit. Nëqoftëse ky kusht plotësohet, Prokurori ia paraqet aktakuzën dhe materialin përcjellës një gjykatësi të Tribunalit për shqyrtim. Nëqoftëse gjykatësi bindet se ekzistojnë prova të mjaftueshme për sjelljen e të akuzuarit në gjyq, ai ose ajo konfirmon aktakuzën dhe lëshon fletarrestimin.
Tribunali heton dhe procedon penalisht
katër kategori të veprave penale: shkelje të rënda të konventave të Gjenevës të vitit 1949, shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Këtu përfshihen vrasje, tortura, dëbime, përndjekje, robërim, plaçkitje, shkatërrim pa shkak i qyteteve ose fshatrave dhe dëmtim i qëllimshëm i institucioneve fetare.
Hetuesit e Prokurorisë me përvojë pune policore mbledhin dhe shqyrtojnë prova, identifikojnë dhe marrin në pyetje dëshmitarë dhe të dyshuar, dhe kryejnë hetime në vendin e ngjarjes, ku përfshihet edhe hapja e varreve të përbashkëta. Në ndryshim nga shumica e krimeve që hetohen në vende të ndryshme, shumë prej krimeve të hetuara prej Zyrës së Prokurorit ndodhën gjatë luftës dhe shpesh në rajone të gjera, vazhduan për shumë muaj dhe ishin të mirorganizuara. Në këto krime u përfshinë ushtarë të rregullt, policë të armatosur, paraushtarakë, politikanë dhe civilë të zakonshëm.
Materialet e mbledhura në hetime shfrytëzohen për ngritjen e aktakuzave kundër keqbërësve të dyshuar. Të akuzuarit mund të ngarkohen me një ose me të dy llojet e përgjegjësisë penale, së pari se personalisht kryen, urdhëruan, planifikuan, nxitën ose ndihmuan dhe inkurajuan krime në juridiksionin e Tribunalit dhe së dyti për përgjegjësi eprore për mosparandalimin apo mosndëshkimin e kryerjes së krimeve të tilla prej vartësve të tyre. Kjo njihet si “përgjegjësia komanduese”
Zyra e Prokurorit heton dhe ndjek penalisht vetëm individë. Ajo nuk ka juridiksion ndaj grupeve politike, organizatave, institucioneve ose shteteve. Prokurori mund të procedojë penalisht çdo individ, ndër të cilët edhe ata që zakonisht mbrohen prej normave tradicionale të imunitetit.
Me nxjerrjen para drejtësisë të udhëheqësve të lartë politikë dhe ushtarakë, Tribunali provoi se as kryetarët e shteteve nuk janë mbi ligjin.
Në përputhje me
strategjinë përmbyllëse të Tribunalit, Prokuroria i përfundoi hetimet dhe i paraqiti aktakuzat e fundit më 2004. Të kërkuarit e fundit nga drejtësia, Goran Haxhiq dhe Ratko Mlladiq u arrestuan dhe u transferuan në Tribunal më 2011.
Tribunali nuk disponon forca policore dhe nuk mund t’i arrestojë të dyshuarit. Për arrestimin dhe transferimin e të akuzuarve Tribunali mbështetet tërësisht në ndihmën e autoriteteve shtetërore dhe institucioneve ndërkombëtare. Në bazë të
rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Statutit të Tribunalit shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë detyrim të ofrojnë bashkëpunim të plotë në hetimet dhe procedimet penale të Zyrës së Prokurorit. Mirëpo realisht ky bashkëpunim shpesh ka munguar, veçanërisht nga disa shtete të cilët më parë ishin pjesë e Jugosllavisë.
Prokuroria
Veç hetimeve, detyra tjetër e Prokurorisë është paraqitja e çështjes në gjyq. Procedura në Tribunal është një përzierje unike procedurash (procedura ballafaquese e të drejtës anglo-saksone dhe procedura e të drejtës civile (kontinentale). Në procesin gjyqësor dy palët janë Prokuroria dhe Mbrojtja. Palët kanë përgjegjësinë kryesore për paraqitjen e provave në gjykatë. Për shkak të natyrës së çështjeve, gjykimet në TPNJ shpesh zgjasin më shumë dhe janë më të ndërlikuara se ato në një shtet. Vetëm koha e shpenzuar prej Prokurorisë në një gjykim të vetëm mund të zgjasë më se një vit.
Çështjet në shkallën e parë gjykohen prej një trupi gjykues të përbërë nga tre gjykatës. Tribunali nuk ka juri dhe përveç Prokurorisë dhe Mbrojtjes, edhe gjykatësit mund të pyesin dëshmitarë dhe të kërkojnë prova shtesë. Aktgjykimet jepen prej gjykatësve
Gjatë gjykimit avokatët gjyqësorë të Prokurorisë ftojnë dëshmitarë dhe i pyesin në sallën gjyqësore me synim vërtetimin e fajësisë së të akuzuarit jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm para gjykatësve. Dëshmitarët mund të jenë viktima, mbijetues ose dëshmitarë okularë të krimeve, por gjithashtu edhe zyrtarë ndërkombëtarë, njerëz të brendshëm, madje edhe autorë krimesh. Të ashtuquajturit dëshmitarë ekspertë mund të përmbledhin përfundimet prej hulumtimit që kanë kryer në specialitetin e tyre, për aspekte si zhvarrimet, zhvendosja e popullsisë ose strukturat ushtarake. Materiale në formën e urdhrave ushtarakë, raporteve policore, fotografive dhe videokasetave shpesh pranohen si prova gjatë gjyqit dhe diskutohen me dëshmitarët përkatës.
Avokatët gjyqësorë të Prokurorisë diskutojnë një gamë të gjerë aspektesh ligjore në gjyq dhe përgatisin parashtrime si mocione ose kërkesa ose përgjigje ndaj parashtrimeve të Mbrojtjes. Në fund të çdo procesi gjyqësor të dyja palët i paraqesin një parashtrim përfundimtar trupit gjykues ku përmbledhin pikëpamjet e tyre në lidhje me fajësinë e të akuzuarit duke u bazuar në provat e paraqitura në gjyq dhe në përputhje me ligjin përkatës.
Shumë aktgjykime në Tribunal apelohen prej Prokurorisë, ose prej Mbrojtjes. Apelimet shqyrtohen nga një trup gjykues prej pesë gjykatësish të Dhomës së Apelit. Procedura e Apelit përgjithësisht kryhet me shkrim. Juristët e Seksionit të Apelit të Prokurorisë argumentojnë apelin në emër të Prokurorisë.
Krijimi i precedentëve
Kur më 1994 në Tribunal erdhën hetuesit e parë, ata u përballën me një detyrë tejet të vështirë, të hetonin krime në mes të luftës ku ata nuk mund të shkonin në vendet e krimeve. Thuajse nuk ekzistonin precedentë në procese penale ndërkombëtare të ngjashme. Legjitimiteti i Tribunalit u kundërshtua nga autoritetet prej të cilave varej arrestimi dhe transferimi i të akuzuarve. Hetuesit nuk u lejuan të shkonin në vendet e krimeve dhe të intervistonin dëshmitarë, dy burime kyçe të provave pa të cilat procedimi ishte i pamundur.
Shumë hetime nisën larg vendeve të krimeve, ndërmjet mijëra refugjatëve të cilët kishin ikur prej konflikteve në pjesë të tjera të botës. Rrëfimet e drejtpërdrejta të viktimave dhe dëshmitarëve të torturave, përdhunimeve, burgimeve dhe përndjekjeve ofruan dëshmi të paçmuara kundër individëve të cilët kryen fizikisht krimet, por nuk mundën të implikonin ata që mund të kishin qenë në pozita komanduese. Si rezultat, aktakuzat e para paraqitur prej Prokurorit ishin kundër individëve me rang më të ulët si ushtarë, roje ose përgjegjës kampi.
Me rritjen e besueshmërisë së Tribunalit dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet, u krijuan mundësi të reja për marrjen e provave dhe u bë e mundur që të provohej lidhja me individë në poste më të larta të cilët mund të konsideroheshin si përgjegjësit kryesorë për krimet. Tribunali e përqendroi gjithnjë e më shumë vëmendjen mbi udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë.
Zyra e Prokurorit ka ngritur aktakuza kundër 161 individëve, ndër të cilët një president, kryeministra dhe drejtues të lartë politikë dhe ushtarakë.
>
Proceset e TPNJ-së në shifra
Hetimet e kryera prej Zyrës së Prokurorit kanë kontribuar shumë në vërtetimin e disa fakteve në lidhje me luftën në ish-Jugosllavi, si gjenocidi në Srebrenicë, përndjekjet, torturat dhe vrasjet në kampet e Prijedorit dhe anembanë dhjetëra komunave të tjera në Bosnjë-Hercegovinë dhe përdhunimet në Foça. Gjithashtu proceset në TPNJ kanë qenë thelbësorë në çeljen e horizonteve të reja në të drejtën humanitare dhe penale ndërkombëtare, zbatimin e konventave të Gjenevës dhe doktrinës së “përgjegjësisë komanduese”
Në dhjetor 2004, Prokurori paraqiti aktakuzën e fundit, duke shënuar fundin e fazës së parë të strategjisë përmbyllëse të Tribunalit. Gjithsesi Zyra e Prokurorit vazhdon veprimtarinë. Veç çështjeve në fazën e gjykimit ose paragjyqësore në Hagë, ajo ofron ndihmë për prokurorët e shteteve duke u përcjellë prova kundër të akuzuarve të rangut të ulët dhe të mesëm të mbledhura prej hetuesve, duke ndihmuar në këtë mënyrë zhvillimin e infrastrukturës ligjore lokale dhe duke kontribuar për paqen dhe stabilitetin në shtetet e reja që dolën prej shpërbërjes së Jugosllavisë së mëparshme.
>
Transferimi i çështjeve
Zyra e Prokurorit është transformuar në një institucion të vërtetë ndërkombëtar për ndjekje penale, duke shtruar themelin për gjykata të tjera penale ndërkombëtare dhe duke e bërë realitet procedimin penal të krimeve të luftës në planin ndërkombëtar.
Struktura organizative
Deri së fundi, Zyra e Prokurorit kishte një seksion të veçantë hetimor veç seksionit të ndjekjes penale që përbëhet prej krahut gjyqësor dhe atij të apeleve. Gjithashtu është edhe një seksion për të dhëna dhe prova. Duke marrë parasysh ndryshimin e veprimtarisë kushtëzuar prej strategjisë përmbyllëse, momentalisht zyra funksionin si seksion për ndjekje penale. Zyra e Prokurorit ka punonjës afërsisht nga 80 vende përvojat e të cilëve si oficerë të policisë, ekspertë të krimeve dhe mjekësisë ligjore, analistë, juristë, avokatë gjyqësorë dhe këshilltarë ligjorë në sistemet shtetërore janë ndërthurur në një sistem unik ndërkombëtar të ndjekjes penale.
Zyra e Prokurorit udhëhiqet prej Prokurorit i zgjedhur prej Këshillit të Sigurimit për një mandat katërvjeçar të përtëritshëm dhe zëvendësprokurorit të emëruar prej Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Prokurori aktual është Serzh Bramerc (
Serge Brammertz) nga Belgjika. Ai u emërua më 1 janar 2008. Paraardhës i tij ishte Karla Del Ponte (
Carla Del Ponte) nga Zvicra (15 shtator 1999 - 31 dhjetor 2007). Personi i parë i emëruar si Prokuror i TPNJ-së ishte
Ramon Escovar Salom nga Venezuela (21 tetor 1993 deri më 3 shkurt 1994), mirëpo ai nuk e filloi asnjëherë detyrën. Prokurori i parë faktik ishte Riçard Goldstoun (
Richard Goldstone) nga Afrika e Jugut (15 gusht 1994 - 1 tetor 1996) pasuar prej Luizë Arbur (
Louise Arbour) nga Kanadaja (1 tetor 1996 - 15 shtator 1999).