Mbrojtja




Të gjithë personat e akuzuar nga Tribunali dhe që paraqiten para Tribunalit kanë të drejtën të përfaqësohen nga një avokat. Kjo e drejtë dhe të drejta të tjera të të akuzuarve janë të garantuara prej Statutit  të Tribunalit dhe të përkufizuara në hollësi nga Rregullorja e Procedurës dhe Provave. Nëse të akuzuarit dëshirojnë avokat, ata mund të zgjedhin avokatin e tyre ose mund t’u caktohet një nga Sekretaria.

Avokati mbrojtës është përgjegjës për kryerjen e mbrojtjes nëpër të gjitha fazat e procesit.

Avokat i mbrojtjes në Tribunal mund të bëhet një jurist i cili/e cila duhet të plotësojë kushtet në vijim:

•    Ai ose ajo duhet të ketë lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit në një shtet ose të jetë profesor universiteti në lëmin e drejtësisë;
•    Ai ose ajo duhet të flasë dhe shkruajë njërën nga gjyhët zyrtare të Tribunalit – anglisht ose frengjisht. Në rrethana të veçanta, avokati që nuk flet asnjë nga gjuhët zyrtare por flet gjuhën e klientit të tij mund të përfaqësojë të akuzuarin;
•    Ai ose ajo duhet të jetë anëtar i/e shoqatës së avokatëve që dalin para Tribunalit i pranuar nga Sekretari;
•    Ai ose ajo nuk është shpallur fajtor ose ndryshe ndëshkuar me masa disiplinore në procedura përkatëse disiplinore kundër atij/asaj në forume kombëtare ose ndërkombëtare, përfshirë edhe procedurat e Kodit Profesional për Avokatët e Mbrojtës që Paraqiten para Tribunalit Ndërkombëtar, përveç nëse Sekretari  gjykon se në rrethana të caktuara përjashtimi i një avokati të tillë do të ishte I tepruar;
•    Ai ose ajo nuk është shpallur fajtor në procedura përkatëse penale;
•    Ai ose ajo nuk ka kryer veprime të pandershme, ose ndryshe diskredituese për një avokat,  të dëmshme për zbatimin e drejtësisë, ose që me gjasë pakësojnë besimin e opinionit publik për Tribunalin ose zbatimin e drejtësisë, ose ndryshe diskreditojnë Tribunalin; dhe
•    Ai ose ajo nuk ka dhënë informacion të rremë ose mashtrues në lidhje me kualifikimet e tij/saj dhe aftësinë e ushtrimit të profesionit ose ka dhënë informacionin e duhur.

Të akuzuarit që nuk kanë mundësi financiare për të paguar avokatin e tyre, kanë të drejtën e ndihmës juridike, që paguhet nga Tribunali. Tribunali mund të mbulojë gjithashtu një pjesë të shpenzimeve, nëse i akuzuari ka mundësi të paguajë vetëm një pjesë të shpenzimeve për mbrojtjen e tij/të saj. Zyra e Ndihmës Juridike dhe Paraburgimit brenda Sekretarisë merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe paraburgimin në Tribunal.

Që nga shtatori i vitit 2002, avokatët mbrojtës janë përfaqësuar kolektivisht nëpërmjet Shoqatës së Avokatëve të Mbrojtjes që paraqiten para TPNJ-së, e cila është një organizatë e pavaruar nga Tribunali. Qëllimi i kësaj shoqate është garantimi i një cilësie më të lartë të mbrojtjes për të akuzuarit dhe përfaqësimi kolektiv në organet e Tribunalit në emër të të gjithë avokatëve të mbrojtjes që punojnë në çështje gjyqësore të TPNJ-së. Për më tepër ekzistenca e kësaj shoqate u bë domosdoshmëri edhe në kontekst të Kodit të Sjelljes Profesionale për Avokatët e Mbrojtjes që paraqiten para Tribunalit Ndërkombëtar dhe mekanizmave të tij disiplinuese. 

> Për më shumë informacion vizitoni faqen e internetit të SHAM-TPNJ