Të përgjithshme


Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) është gjykatë e Kombeve të Bashkuara që gjykon krimet e luftës të cilat ndodhën gjatë konflikteve që përfshinë Ballkanin gjatë viteve ‘90. Që prej themelimit në 1993, Tribunali ka ndryshuar pakthyeshmërisht të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe ka bërë që të dëgjohet zëri I viktimave për tmerret që panë dhe përjetuan.

Nëpërmjet vendimeve të veta udhërrëfyese mbi genocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, Tribunali provoi se pozita e lartë nuk mund ta mbrojë më një individ prej ndjekjes penale. E drejta ndërkombëtare tashmë ka provuar se ata që mbartin përgjegjësinë më të madhe për mizoritë e kryera duhet të japin llogari si dhe se fajësia duhet individualizuar duke shmangur etiketimin e “përgjegjësisë kolektive” të komuniteteve të ndryshme. Tribunali ka hedhur themelet e standardit të pranuar për zgjidhjen e konflikteve dhe zhvillimet pas konflikteve anembanë globit dhe konkretisht se udhëheqësit e dyshuar për krime masive do të ballafaqohen me drejtësinë. Tribunali ka provuar se është e mundshme një drejtësi ndërkombëtare efiçente dhe e prekshme.


Provë materiale që tregon serbë nga
rrethina e Konjcit rë mbajtur në kampin Çelebiqi
Tribunali ka kontribuar për krijimin e një arkivi historik të pakundërshtueshëm kundër orvatjeve mohuese në shtetet e ish-Jugosllavisë. Nuk mund të mohohen më tej krimet në rajon; masakra e Srebrenicës ishte genocid, forcat e armatosura serbe të Bosnjës e përdorën përdhunimin si mjet terrori dhe gjykatësit në procesin gjyqësor Kvoçka dhe të tjerët, provuan se në kampet Omarska, Keraterm dhe Tërnopolje ndodhi “... një orgji e llahtarshme përndjekjesh”.

Strategjia Përmbyllëse e Tribunalit e përkrahur prej Këshillit të Sigurimit është një plan që përcakton fazat e mbylljes graduale dhe të disiplinuar të Tribunalit dhe parashikon përfundimin e të tëra gjykimeve të shkallës së parë brenda vitit 2010 dhe apelet brenda fundit të vitit 2011, duke qenë se Tribunali u themelua si gjykatë me një mandat dhe mision të përkohshëm. Që prej vitit 2003 Tribunali ka bashkëpunuar ngushtësisht me gjyqësorët dhe gjykatat e vendeve në ish-Jugosllavi, duke bashkëvepruar në partneritet në kontekstin e një përpjekjeje të vazhdueshme për realizmin e drejtësisë.


Provë materiale që tregon një
vrasje të kryer prej Goran Jelishiqit
  

Pa dyshim që puna e Tribunalit ka patur ndikim të madh mbi shtetet në ish-Jugosllavi. Largimi dhe nxjerrja para drejtësisë e disa prej kriminelëve më të rëndësishëm dhe famëkëqinj ka eliminuar hijen e dhunës, ka kontribuar në dhënien fund të mosndëshkimit dhe ka çelur shtegun për pajtim.

Themelimi

Në maj 1993 Kombet e Bashkuara themeluan Tribunalin si përgjigje ndaj mizorive të shumta që po ndodhnin në Kroaci dhe Bosnjë Hercegovinë.  Raportet që përshkruanin krime të llahtarshme ku mijëra civilë u vranë dhe lënduan, u torturuan dhe keqtrajtuan seksualisht në kamp-burgjet dhe qindra mijëra u dëbuar prej vatrave të tyre, shkaktuan indinjatë anembanë botës dhe i shtynë Kombet e Bashkuara në veprim.

TPNJ-ja është gjykata e parë për krime lufte e themeluar nga OKB-ja dhe tribunali i parë ndërkombëtar për krime lufte që nga tribunalet e Nurembergut dhe Tokios. Tribunali u themelua nga OKB-ja në pajtim me Kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara. 

Synimi parësor i TPNJ-së është gjykimi i individëve që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për veprime mizore si vrasje, tortura, përdhunim, robërim, shkatërrim i pronës dhe për krime të tjera të përmendura në Statutin e Tribunalit. Me nxjerrjen e keqbërësve para gjyqit, TPNJ-ja synon parandalimin e krimeve në të ardhmen dhe drejtësi për mijëra viktima dhe familjet e tyre, duke kontribuar në këtë mënyrë për një paqe jetëgjatë në ish-Jugosllavi.

Me seli në Hagë të Holandës, TPNJ-ja ka ngritur aktakuza kundër më shumë se 160 personave. Ndër të akuzuarit janë kryetarë shteti, kryeministra, shefa të shtabeve të ushtrisë, ministra të punëve të brendshme dhe shumë drejtues politikë, ushtarakë dhe policorë të nivelit të lartë dhe të mesëm nga palët e ndryshme në konfliktin jugosllav. Në aktakuzat e Tribunalit trajtohen krimet e kryera nga viti 1991 deri në vitin 2001 kundër personave me përkatësi të ndryshme etnike nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Më se 60 individë janë dënuar për krimet e tyre dhe aktualisht më shumë se 40 të tjerë janë në shkallë të ndryshme të procedurave gjyqësore të Tribunalit.


Gjykatësit dhe një zyrtar i
Sekretarisë në sallën gjyqësore

Të interesuarit në proceset gjyqësore të Tribunalit mund të vizitojnë TPNJ-në dhe të shikojnë gjykimet drejtpërdrejtë. Gjykimet gjithashtu mund të përcillen nëpërmjet transmetimit të internetit në këtë faqe të internetit. 

Duke funksionuar me kapacitet të plotë, Tribunali është duke punuar për përmbylljen e mandatit të tij. Këtë objektiv TPNJ-ja synon që ta realizoje duke u përqëndruar në ndjekjen penale dhe gjykimin e udhëheqësve më të lartë në një kohë që një numër çështjesh gjyqësore të cilat përfshijnë  të akuzuar të rangut të mesëm dhe të ulët ua kalon për gjykim gjykatave shtetërore në ish-Jugosllavi. Ky plan, i cili zakonisht quhet ''strategjia përmbyllëse' e Tribunalit, parashikon ndihmën e ofruar prej Tribunalit në fuqizimin e kapaciteteve të gjykatave shtetërore në rajon për gjykimin e krimeve të luftës. 

TPNJ-ja përbëhet nga tri degë kryesore: Dhomat Gjyqësore, Sekretaria, dhe Zyra e Prokurorit.